Këta janë tre të arrestuarit që dyshohen për therjen me thikë te “kafet e rakisë” në Prishtinë
Lokalet e njohura si “kafet e rakisë” në qendër të Prishtinës mbrëmjen e sotme u boshatisën, pas një incidenti me thikë, ku mbeti i lënduar një person.
Për motive ende të panjohura, viktima 36-vjeçar u sulmua me mjet të mprehtë dhe të dyshuar për rastin janë tre persona, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se tre personat që janë arrestuar pasi dyshohen se janë përfshirë në këtë rast janë Kujtim Mehmeti, Albin Bahtiri dhe Fisnik Markaj.
Të njëjtit janë arrestuar pasi Policia ka intervenuar në rast, ndërkohë që viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, i riu është goditur me thikë në kokë, duke pësuar kështu plagë, për çka po merr trajtim mjekësor.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
“Sot rreth orës 18 :30, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën “2 Korriku” në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti. Aktualisht në stacion policor po intervistohen tre persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, tha zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.