Gruaja tenton të bëjë vetëvrasje, shkak mërzia që nuk ka fëmijë
Depresioni shpeshherë është cilësuar si një faktor serioz që mund të drejtojë njeriun drejt vetëvrasjes. Ndjenjat e dëshpërimit, zemërimit, e depresionit jo rrallëherë i kanë shtyrë të rinjtë të tentojnë të kryejnë këtë akt, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur sot në një familje në Landovicë të Prizrenit, ku një grua, e moshës 31-vjeçare ka konsumuar preparate kimike dhe për pasojë iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë të ditur se gruaja është pranuar në këtë qendër në gjendje jo fort të mirë, ku u dërgua nga bashkëshorti i saj.
Posa Policia është njoftuar për rastin, një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka marrë një deklaratë nga i njëjti, i cili ka thënë se bashkëshortja e tij është në gjendje të rënduar emocionale për shkak se nuk kanë fëmijë akoma.
Me t’u mbledhur informacionet e para, për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
Kujtojmë se rastet e tilla janë shpeshtuar shumë, sidomos në rajonin e Prizrenit dhe kjo po cilësohet si një dukuri mjaft shqetësuese.