Lajme

Bëhuni gati: Kjo javë, më e ftohta e këtij dimri në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka informuar se kjo javë, (përveç ditës së hënë), mbi vendin tonë do të ndikohet nga masat e thata të ajrit me origjinë nga pjesa veriore e kontinentit. Këto masa të ajrit do të kushtëzojnë mot të ftohët dhe me temperatura tipike dimërore.

Sipas IHMK-së, java që po vjen parashihet të jetë më e ftohta deri më tani e kësaj stine.

“Edhe sot pasdite parashihen erëra të fuqishme të cilat do t’i përfshijnë disa rajone, kryesisht veriun, verilindjen dhe perëndimin e vendit , por edhe pjesa qendrore gjithashtu do të përfshihet nga erërat e fuqishme të cilat do të regjistrojnë shpejtësinë mbi 12m/s. Parashihet edhe reshje bore të intensitetit të dobët , të cilat do të vazhdojnë edhe në pjesën e parë të ditës së hënë, ku edhe erërat parashihen të dobësohen pasditen e ditës së nesërme.”, ka bërë të ditur IHMK.

Gjatë gjithë javës që vjen, sipas parashikimeve, do të ketë ngrica, prandaj pjesëmarrësit në komunikacion duhet të kenë kujdes të shtuar.

“Gjithashtu apel edhe tregtarëve të cilët merren me importimin dhe shitjen e pemëve dhe perimeve që produktet e tyre t’i ruajnë në vende të përshtatshme, pasi që pothuaj e gjithë java do të jetë me ngrica, si pasojë e temperaturave të ulëta.”, është bërë e ditur në njoftim.


Temperaturat parashihen të lëvizin ndërmjet -11 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius.