Lajme

Drenicaku rrah brutalisht bashkëshorten e tij për motive xhelozie, e kërcënon se do e mbysë

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje.

Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre, e që ndër vite shumë raste të tilla kanë përfunduar tragjikisht.

Në Polici kanë përfunduar edhe një çift nga Drenasi, pasi gruaja ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, me ç’rast 48-vjeçari ka eskaluar në dhunë brutale ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e ka kapur për flokësh dhe e ka goditur me grushte. I njëjti dyshohet ta ketë kërcënuar 44-vjeçaren me jetë, duke i thënë se do ta mbys.

Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka marrë lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 48-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.