“Kam me të vra”/ Ish i dashuri i shkakton telashe zyrtares së Ibër Lepencit, e ngacmon dhe e kërcënon me jetë
Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e ngacmimet ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Me një rast të tillë po përballet që një kohë një 36-vjeçare, e cila ka denoncuar në Polici ish të dashurin e saj.
Sinjali mëson se 24-vjeçari që nga koha kur janë ndarë e shqetëson vazhdimisht me mesazhe telefonike, thirrje e po ashtu edhe me paraqitjet e tij në kompaninë e Ibër Lepencit, ku punon viktima.
36-vjeçarja është shprehur e shqetësuar me veprimet e të dyshuarit, pasi që ai kërkon nga ajo që të dalin dhe të bisedojnë dhe prandaj ka vendosur që ta denoncojë rastin në organet e rendit.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin, ku ka deklaruar se ka qenë 36-vjeçarja ajo e cila e ka telefonuar për t’i kërkuar ndihmë.
Sipas tij, ish e dashura i ka kërkuar atij që të dalë dhe të takohet me shefin e saj, për shkak se ky i fundit i ka ndalur asaj një meditje.
Ish çifti janë takuar rastësisht në hapësirat e jashtme të stacionit policor në Prishtinë, ku nga largësia e ka kërcënuar viktimën me jetë, duke i thënë se do ta vrasë.
I njëjti është arrestuar dhe më pas ka deklaruar se këto fjalë i ka thënë nën afekt të nervozes.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprat ‘Ngacmim’ dhe ‘Kanosje’.