Nëna me gjithë djalë kërcënojnë dhe sulmojnë ish-dhëndrin, e bëjnë për spital
Zënkat e familjes së gruas me dhëndrin, janë të shpeshta në vendin tonë. Madje shpesh herë ato nuk marrin fund, as atëherë kur çifti vendos të ndahet. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Vushtrri.
Në ngjarje janë përfshirë nëna bashkë me djalin e saj 21-vjeçar, të cilët dyshohet se kanë kërcënuar dhe kanë sulmuar ish dhëndrin e tyre.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në oborrin e Qendrës për Punë Sociale, ku 26-vjeçari kishte shkuar që të takohet me vajzën e tij nga martesa me ish bashkëshorten.
Me t’u kryer takimi ku prezente ishte edhe ish bashkëshortja e viktimës, ai ka takuar ish vjehrrën dhe ish mikun të cilët kanë filluar që ta ofendojnë dhe shajnë me fjalë të rënda. E në një moment, ish-vjehrra dyshohet se e ka goditur me çantë të dorës në kokë, ndërsa djali i saj e ka kërcënuar se do ta vrasë nëse motrës së tij i ndodh diçka e keqe. I njëjti më pas dyshohet se ka goditur me grushte viktimën, duke i shkaktuar atij lëndime trupore për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Përballë kësaj situate, viktima ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i është shmangur konfliktit me dy të dyshuarit.
Si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve kanë dhënë deklaratën e tyre lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të hetohen për veprat ‘Sulm’ dhe ‘Kanosje’ dhe i dyshuari të dërgohet në mbajtje.