Lajme

Largimi i mistershëm i “Kobrës” nga burgu i Sigurisë së Lartë

Dibran Hoxhaj i njohur me nofkën “Kobra” po vazhdon të mbahet në paraburgim. Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e kukësianit Visart Cengu dhe plagosjen e Rufgen Shehut. Ngjarja tragjike ndodhi në javën e parë të janarit. Emri i “Kobras” u përfol edhe javën e kaluar. Në mënyrë të mistershme ai u zhvendos nga burgu i Sigurisë së Lartë.

Të enjtën e kaluar, Gazeta Insajderi raportoi se Dibran Hoxhaj është zhvendosur nga burgu i Sigurisë së Lartë në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Arsyeja pse “Kobra” është dërguar në këtë qendër ende nuk është bërë e ditur. Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës është thënë se vendimi për transferimin e tij nga burgu i Sigurisë së Lartë, është marrë për arsye operacionale. Të njëjtit nuk dhanë detaje tjera.

Për këtë rast, u kontaktua SHKK, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Asnjë fjalë nuk e ka thënë as avokati mbrojtës i Hoxhajt, Nexhat Elshani.

Si ndodhi ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe Kosovën?

Natën e 3 janarit, 31 vjeçari Visart Cengu së bashku me dy shokët e tij, kishin dal për t’u argëtuar. Ata kishin zgjedhur lokalin “Kobra City” për ta kaluar natën e tretë festive të vitit të ri.

Fatura në vlerë prej 400 eurosh, u tha se u bë shkas që Visart Cengu, Rufgen Shehu dhe A.B të përleshen brenda lokalit në fjalë.

Në kohën kur të përmendurit kishin dal nga lokali, në parking i kishte pritur Dibran Hoxhaj. Hoxhaj kishte shtënë me armë në drejtim të veturës së tyre.

I vrarë mbeti Visart Cengu dhe i plagosur Rufgen Shehu. Ata nuk e ndaluan makinën derisa kaluan kufirin.

“Pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën me targa angleze, për tu larguar, në parkingun e lokalit paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin Visart Cengu, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe Rufgen Shehu, i cili kishte qenë në ulësen e përparme. Si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri Visart Cengu, ndërron jetë rrugës për në spital të Kukësit, derisa Rufgen Shehu nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Një muaj paraburgim për “Kobrën” dhe pesë të tjerët

Një ditë pas ngjarjes, Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaj Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” dhe pesë personave tjerë, lidhur me vrasjen që ndodhi të martën në Prizren, ku një person ka mbetur i vrarë e një tjetër i plagosur në lokalin e natës “Kobra City”.

“Kobra” dyshohet për veprat penale, vrasje të rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi me prova.

Ndërsa pesë të dyshuarit tjerë po akuzohen për veprën penale “pjesëmarrja në rrahje”.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 03.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 03.02.2023 ndaj të pandehurve“, thuhet në njoftim.

Kujtim Gashi, Jesmir Badallaj, Burim Mazreku, Enver Amrllahi, Arben Vezaj janë personat që ndodhën në paraburgim së bashku me Dibran Hoxhajn tash e dy javë.