Lajme

Veturën që mori në ‘rent a car’ e dha në kompensim të borxhit personal, ky është ferizajasi që përfundoi në pranga

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë me bizneset për shfrytëzimin e tyre. Shpesh ato automjete nuk kthehen në kohë, shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron pronarët e kompanive të kërkojnë ndihmë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe me një veturë të rent a car ‘Doni’ në Ferizaj, të cilën një person e mori në shfrytëzim e më pas e dha në kompensim të një borxhi personal.

Burimet brenda prokurorisë bëjnë me dije për Sinjalin se i dyshuari në këtë rast është Shabi Lipovica, 35-vjeçar, i cili është arrestuar.

Lipovica është intervistuar në Polici lidhur me rastin, teksa vetura bashkë me personin që dyshohet se e mori atë, janë në kërkim policor.

Me urdhër të prokurorit, rasti ndaj 35-vjeçarit është iniciuar ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’ dhe ai ndodhet në masën e ndalimit policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.