Gjendet pa shenja jete një 63-vjeçar në banesën e tij në Fushë Kosovë
Vdekja e një 63-vjeçari në Fushë Kosovë ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë për nisjen e hetimeve. Rasti i rëndë dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën “Nënë Tereza”, ku një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë të ditur se rasti është zbuluar pasi mbesa e viktimës e njoftoi Policinë se daja i saj tashmë i ndjerë nuk ishte përgjigjur në telefonatat e saj dhe i njëjti jetonte i vetëm.
Si rezultat i denoncimit, Policia e gjeti 63-vjeçarin të shtrirë në dhomë, pa shenja jete në banesën e tij. Në vendin e ngjarjes ka dalë menjëherë edhe Autoambulanca, me ç’rast vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi i mjekëve që ka dalë në vendin e ngjarjes. Ajo që dihet deri më tani është se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti “Hetim mbi vdekjen” për t’u zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.