Dyshohet se policia serbe tentoi të kidnapojë kosovarin në kufi, rrëfehet në detaje 34 vjeçari
Labinot Dibrani, 34 vjeçar nga Mitrovica po pretendon se është tentuar të kidnapohet nga policia kufitare serbe në Bërnjak. Pasi është ndaluar nga policia, atij i janë konfiskuar vetura, telefoni, qelsat e banesës dhe dokumentet, pastaj është futur në një barak në zonën kufitare. Pasi ka parë që po planifikohet një “kidnapim klasik” ndaj tij, Dibrani iu ka ikur serbëve duke kërkuar ndihmë nga Policia kufitare e Kosovës. Gazeta Insajderi sjell në detaje rrëfimin e tij.
34 vjeçarit i është konfiskuar vetura, telefoni e dokumente të tjera që i ka pasur me vete pasi është ndaluar nga policia kufitare.
Por, ai në një rrëfim për Gazetën Insajderi pretendon se qëllimi i tyre ishte ta kidnapojnë dhe ta dërgojnë në burg siç ndodhi rasti me shqiptarin Artan Zymberaj që ka vdekur në burgjet e Serbisë.
Dibrani thotë se ai u ndalua në kufi dhe u dërgua në një barakë të cilën e mbyllen me qels. Por, pasi ai ka hetuar se po pritet të vijnë disa persona tjerë për ta marrë, ai ka ikur nga ta duke vrapuar drejtë policisë së Kosovës.
“Kanë tentu me me kindapu mu agjentet sekret të Serbisë edhe ju kom ik atyre. Ma kanë konfisku veturën, telefonin, qelsat e banesës, letërnjoftimin, dokumetat e veturës. Ata kanë deshtë mem kidnamu mu. Kur me kanë mshel brenda barakave, policia kufitare kanë thirrë dikë tjetër me ardh mem marr mu. Ka qenë ora 1 e ditës edhe i kanë thirr ata. Ata u kanë thënë se deri në orën 4 nuk mujn me mbrri. “ATA” që kishin me ardh nuk e di kush kanë qenë po ashtu iu reforojke policia serbe. Nuk me kanë dhënë arsye se pese me kanë ndalu por me thoshin qe tash vin ATA me te marrë pa me treguar se kush janë” rrëfen Dibrani për Insajderi.org.
Në momentin kur ka ndodhur kjo, ai thotë se ka qenë në veture më nënën e tij dhe gruan shtatzënë.
Dibrani tregon se si arriti të arratiset nga baraka ku ishte futur nga policia serbe.
Ai thotë se pasi ka kuptuar se po bëhet fjal për një “kidnapim klasik”, ka shpërqendruar policet dhe ka ikur nga aty.
“Nëse unë nuk kisha ik, fati jem kish përfundu si ai shqiptari në burgje. Me kanë shti në barak, e kanë mshel me qelës edhe kanë ardh 4 polic me me rujt. Nënën e grun i kanë lon në veture e mu me shtin në barak. Aty na kanë marr dokumentet dhe me pyetshin hollësisht për detaje, emrat mbiemrat. Unë e pash që këtu është Kidnapim klasik. Edhe ju thash që po me zihet fryma po du me dal me marr ajër të pastër. Ma hapen derën me zor, I kam shpërqendruar policinë dhe kam fillu me ik. E kam kalu kufirin e policeve tonë dhe kam hi te Njësia Speciale dhe ata me kanë marr në mbrojtje. Ata kanë shku mi kanë marr edhe nenen dhe gruan” deklaron ai.
Dibrani tregon se shpesh e ka kaluar këtë pik kufitare dhe nuk ka pasur probleme. Por dyshimi i tij për ndalim është pasi ai kishte sharë dhe kërcënuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq ne Facebook dhe sipas tij kjo mund të jetë arsyeja e ndalimit të tij.
“Kom desht me kalu kufirin në Bërnjak për me hy në Serbi. Nuk është hera e parë që kam shku atje e nuk kam pas kurrë telashe. Por, dyshimi jem është se e kam sha dhe kërcënu Vuçiqin në Facebook dhe vec ma ka lan seen edhe ai ka vazhdu me I arrest kta që po kërcënojnë e po shajnë nëpër Facebooka. Po mendoj që kjo është arsyeja sepse nuk kam asnjë vepër kriminale as për kundërvajtje as në Serbi as në Kosovë. Por kur po e mendoj pse me mi konfesku sendet e mija që ende vazhdojnë me qendru në Bërnjak. Aty janë duke e rujt dy polic të Serbisë” u shpreh ai.
Rastin e ka lajmëruar edhe te Policia e Kosovës, thotë ai. Policia i ka kërkuar që rastin ta lajmroj tek Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd dhe tek MPJ.
“Me kanë pyt mos kam qenë me flet arrest ndërkombëtar, por ju thash që jo. Këtë e verifikuan edhe ata. Kam qenë sot ne polici dhe ata me kanë referu me shku tek zyra ndërlidhëse me Serbinë që është në Ministrinë e Punëve të Jashtme”.
I pyetur se ku ka dashur të shkoj, Dibrani tregon se ka familjar andej kufirit.
“Unë jam banor i Kosovës. Kam desht me shku te familjaret e tonë që janë 10 kilometrat përtej kufirit, aty I kam dajt e nanës dhe kam pas me shku vizitë te ta”.
Labinot Dibrani tregon se për këtë rast përpos policisë së Kosovës është njoftuar edhe shefi i zyrës ndërlidhëse në Beograd Jetish Jashari.
Ndërsa, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është në dijeni për rastin dhe sipas tyre duhet të merret Ministria e Punëve të Jashtme pasi ngjarja nuk ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.