Kryesore

Publikohen 136 nivelet e koeficienteve në Ligjin e Pagave

Ligji i Pagave është publikuar të enjten në gazetën zyrtare. Bashkë me të është publikuar shtojca me 136 nivele të koeficienteve, që kanë raport prej 2 me 18. Megjithatë, pasi që vlera e koeficientit nuk dihet, mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik nuk e dinë sa do të jetë paga e tyre, pas një muaji kur ligji të hyjë në fuqi.

Në Qeveri kanë thënë se përcaktimi i koeficientit do të bëhet brenda muajit janar, ndërsa sipas ekspertëve, vlera e tij do të sillet nga 120 deri në pak mbi 130 euro. Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, që sivjet është rritur edhe për paga e shtesa për 75 milionë euro në raport me vitin e shkuar.

Për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Pra po që se vlera e koeficientit është 120 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 600 euro bazë, pa llogaritur shtesat.

Paga më e lartë do të jetë për postin e presidentit të shtetit, me koeficient 18. Kryetari e Gjykatës Kushtetuese do të ketë koeficient 17.5 ndërsa 17 do të jetë koeficienti për postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Deputeti dhe ministri do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.

Sa i përket kryetarëve të komunave, ai i kryeqytetit do të ketë pagë me koeficient 15, ndërsa pagat e të tjerëve do të dallojnë varësisht prej numrit të qytetarëve që kanë ato komuna.

Në gjyqësor, që ka paralajmëruar dërgimin e Ligjit në Gjykatën Kushtetuese, paga për kryetarin e Gjykatës Supreme do të jetë në koeficientin 17. Koeficienti te gjyqtarët do të sillet prej 15.5 deri në 12 për gjyqtarin e Themelores dhe të dhomës së shkallës së parë të Komerciales. Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17, ndërsa prokurorët e përgjithshëm në Themelore do të kenë pagë me koeficient 12.

Në Ushtri, komandanti do të ketë koeficientin 15, ndërsa paga më e ulët do të jetë për rekrutin/kadetin e FSK-së me koeficient 2, që është edhe paga më e ulët në vend.

Në Polici, drejtori i përgjithshëm do të ketë pagë me koeficient 14.5, ndërsa polici i thjeshtë koeficient 5. Kadeti policor do të ketë koeficientin 2.

Te zjarrfikësit koeficienti do të sillet nga 4 deri në 8.

Në arsim, pagat e mësimdhënësve do të sillen prej koeficientit 5.6 për ata të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta deri në 5.8 për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta.

Në shëndetësi, pagat e mjekëve do të jenë nga 7.4 për mjekët e përgjithshëm në 12 për specialistët.

Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike a të fatkeqësisë natyrore.