Lajme

Lajm i mirë – nga ky muaj pritet stabilizim i çmimeve të derivateve në Kosovë

Nga muaji mars pritet të ketë stabilizim të çmimeve të derivateve, kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Këtë të dhënë Berjani e dha duke u bazuar në organizatën prodhuese OPEC.

“Çmimet dhe tregu pritet të stabilizohet nga muaji mars sipas informatave nga organizata prodhuese OPEC”, ka thënë Berjani për Insajderin.

Kreu i Naftarëve tregoi edhe sa është duke u shitur një litër naftë e benzinë.

“Çmimet e derivateve në ditët e para të vitit të ri po sillen Dizel 1.43 cent Benzina 1.30 cent”, ka thënë ai.

Rënie rekord e çmimit të naftës është vënë re në muajin dhjetor në Kosovë, tha Berjani.

Në pjesën e dytë të 2022-ës në Kosovë ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve si rezultat i ndikimit të agresionit rus në Ukrainë.

Kujtojmë se në kohën kur pati rritje të madhe të çmimeve të derivateve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte vendosur çmim tavan për produktet e karburanteve dhe që i përcaktonte çdo 24 orë.