Publikuan videon duke gjuajtur me armë, një grua dhe tre burra nga një familje në Prizren përfundojnë në Polici
Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale ku shihen duke vepruar kundërligjshëm po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Kështu e kanë pësuar edhe disa të rinj në fshatin Hoçë e Qytetit, të cilët u arrestuan pasi iu doli një video duke gjuajtur me armë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur natën e Vitit të Ri, kur të dyshuarit kishin vendosur të festonin me armë. Ndonëse ata natë nuk i denoncoi askush, publikimi videos i futi në telashe.
Të dyshuarit, 1 grua dhe tre burra, janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa dy armët e përdorura nga të njëjtit janë sekuestruar nga ana e Policisë.
Sipas të njëjtave burime, të dyshuarit gjatë dhënies së deklaratave e kanë pranuar veprën për të cilën dyshohen.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar rasti si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.