Lajme

“Takohemi n’mal e merremi vesh..”/ Kërcënohet roja i pyllit në Rahovec, e fotografoi hajnin e druve

Vjedhja e druve dhe bartja ilegale e tyre është një dukuri mjaft e shpeshtë në vendin tonë por jo gjithmonë zbulohen rastet dhe të dyshuarit bien në prangat e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Rahovec, ku një roje i pyllit kapi mat një person, i cili më pas e kërcënoi, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur pasdite, kur viktima e kishte fotografuar të dyshuarin, i cili vodhi dru dhe tentoi të ikte. Por kjo i kushtoi me kërcënim serioz, për çka ai kërkoi ndihmën e Policisë.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari F.R., i është drejtuar rojës së pyllit me fjalët “Nëse don takohemi në mal edhe merremi vesh ndaq me t’keq”. Përballë kësaj situate dhe para se të ndodhë diçka, viktima e ka denoncuar rastin dhe ka rrëfyer para zyrtarëve policorë atë që kishte ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, Policia e ka kapur të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë intervistë për veprën me të cilën ngarkohet.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosja”.