E pranoi fajësinë, dënohet me gjobë ministrja Hajdari
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Rozeta Hajdarit, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke e dënuar me 700 euro gjobë, lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor,
Aktgjykimi ndaj ministres Hajdari u shpall në mungesë të saj, të enjten nga gjykatësja e rastit Donikë Shala-Abdyli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjykatëses Shala-Abdyli, në rast se ministrja nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgim shuma prej 20 euro.
Obligohet e akuzuara që në emër të shpenzimeve procedurale dhe atë në emer të pashuallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate.
Në seancën e 28 dhjetorit, Hajdari u deklarua fajtore për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 tetor 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rozeta Hajdari akuzohej për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Aktakuza thotë se e pandehura Hajdari në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka respektuar nenin 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë.
Tutje, akti akuzues thotë se edhe pas njoftimit me kohë nga zyrtarja përgjegjëse e ministrisë përkatëse për detyrimin e deklarimit të pasurisë së saj me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e zgjedhur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 3 shkurtit 2020, e po ashtu edhe përkundër shtyrjes së afatit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 deri më 19 qershor 2020, e njëjta deklarimin e pasurisë nuk e ka bërë as brenda këtij afati shtesë ligjor.
Me këtë, Hajdari akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.