Policja e lënduar rëndë dyshohet se e shkaktoi aksidentin me fatalitet në Pejë
Një zyrtare policore është përfshirë në një aksident trafiku me fatalitet që ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Novosellë të Pejës, ku u përfshinë dy vetura dhe për pasojë një person humbi jetën. 50-vjeçari vdiq në vendin e ngjarjes, teksa tre të lënduarit, përfshirë edhe policen janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca thonë se sipas informacioneve të para policja dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin me fatalitet. Këto informacione pritet të konfirmohen pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme në vendin e ngjarjes, ku tashmë ka dalë edhe IPK.
Për shkak të lëndimeve të rënda, policja dhe dy të lënduarit e tjerë janë dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal në Pejë, e më pas janë transferuar për në QKUK për shkak të gjendjes serioze.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Pejë.
“Në orën 07.45 në fshatin Novosellë të Pejës policia është njoftuar për një aksident trafiku, të përfshira kanë qenë dy vetura. Tre persona janë të lënduar, por më vonë janë bërë katër të lënduar. Një prej tyre ka vdekur, mjeku e ka konstatu vdekjen në vendin e ngjarjes. Tre personat janë dërgu në Emergjencë më pas në QKUK. Gjithashtu në vendin e ngjarjes ndodhet edhe IPK, pasi në aksident ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor”, tha për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës Fadil Gashi.