“Kam me ther, rrip t’mishit me ba”/ Babai në Klinë kërcënon personin që i premtoi martesë vajzës së tij në këmbim të seksit
Nxitja e kryerjes së akteve seksuale me premtime të rrejshme për martesë përbën vepër penale dhe kushdo që kryen këtë vepër rrezikon burgimin. Raste të tilla, kur vajzat në mes të moshës 16-18 bien pre e premtimeve të rreme nga të rriturit për t’u përfshirë në një akt seksual nuk janë të rralla në vendin tonë, por jo gjithmonë raportohen dhe bëhen publike, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Pejë tashmë ka nisur hetimet pas denoncimit të një vajze nga Klina, e cila e ka raportuar një person në Polici, nën dyshimet se i njëjti i ka premtuar martesë në këmbim të marrëdhënieve seksuale.
Në bazë të informacioneve të para të mbledhura për këtë rast të ndjeshëm, vajza e moshës 16-vjeçare ia ka mësyrë stacionit policor në Klinë më 21 dhjetor, për ta raportuar të dyshuarin dhe rastin që dyshohet se kishte ndodhur.
Sipas dëshmisë së vajzës të dhënë para hetuesve policorë, në prani të nënës së saj, i dyshuari i kishte kërkuar që të kryenin marrëdhënie seksuale, duke i premtuar se do ta martojë dhe do të jetonin së bashku. Pasi vajza e kuptoi që ka rënë viktimë e të dyshuarit, vendosi që ta njoftojë Policinë, duke e raportuar rastin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije edhe informacione të tjera, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe mospengimit të rrjedhës normale të hetimit, nuk do t’i publikojë të gjitha detajet.
Sinjali mëson se pas denoncimit të këtij rasti, ka pasur një rast i kanosjes serioze, ku janë të përfshira dy familjet dhe një person tashmë ka rënë në prangat e Policisë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen këtë veprën “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.