Grabitje e armatosur në pompën e derivateve, tre persona marrin gjithë pazarin ditor
Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në pompën e derivateve ‘Shell’ në rrugën ‘Xheladin Hana’ në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se tre persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda pompës dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që t’ia marrin punëtorit të gjithë pazarin ditor në vlerë të rreth 300 eurove para të gatshme.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka deklaruar se tre të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje e armatosur’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.