Lajme

Një 14-vjeçar sulmohet nga “bandat kriminele” në Veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar nga Mitrovica se një i ri shqiptar është sulmuar nga “bandat kriminale”.

“Rreth orës 14:00 një 14 vjeçar është sulmuar nga bandat kriminale duke shkuar në Lagjen ku po banon, në Kroin e Vitakut”, ka thënë Sveçla.

“Fëmija ka lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, policia është duke u angazhuar maksimalisht për zbardhjen e këtij rasti, dhe kam porosi për këta kriminelë, se do t’i shfrytëzojmë kapcitetet që ata të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, që të jenë të përgjegjshëm ndaj këtyre akteve kriminale”, tha ai.

Sveçla ka njoftuar se i riu e ka marrë trajtimin e nevojshëm tashmë, dhe nuk ka lëndime të rënda.

Ndryshe, nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.