Lajme

Prindërit në Vushtrri futen në sherr pasi fëmijët u rrahën me njëri-tjetrin, intervenon Policia

Jo rrallëherë prindërit përfshihen në përleshje qoftë në shkolla, lagje, apo hapësira tjera publike për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve të tyre. Raste të tilla shpesh iu kushtojnë atyre edhe me arrestim e ndalim, raporton Gazeta Sinjali.

Një incident ka ndodhur dje pasdite në shkollën fillore ‘Mustafë Venhari’ në Vushtrri, ku nëna e një nxënësit ka denoncuar në Polici prindin e një nxënësi tjetër.

Sinjali mëson se i gjithë sherri ka nisur pasi fëmijët e tyre të moshës 6-vjeçare janë rrahur mes vete, gjë e cila ka shtyrë të dyshuarin të sulmojë fizikisht të miturin në shenjë revolte.

Nëna e 6-vjeçarit që u rrah nga 44-vjeçari ka deklaruar se si pasojë e dhunës fëmija ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Pas ankesës së nënës, Policia ka arritur që të arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.