Lajme

Shpërthimi te Kroi i Vitakut, Policia: Me gjasë, mjete piroteknike

Është raportuar se sot është dëgjuar një shpërthim afër lagjes “Kroi i Vitakut”, në Mitrovicën Veriore.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Gazetën Express se nuk ka pasur ndonjë të lënduar. Sipas PK-së, “me gjasë”, kanë qenë mjete piroteknike.

“Është dëgjuar rreth orës 12:20. Por me gjasë këto mjete piroteknike te zëshme. Nuk ka ankues nuk ka dëme, nuk ka të lënduar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Derisa ekipi i RTK-së po qëndronte në lagjen “Kroi i Vitakut”, është dëgjuar një shpërthim. Fillimisht, nuk dihej nëse ishte bombë çorientuese apo mjete piroteknike.

Prej 10 ditësh, në veri janë vendosur barrikada që kanë bllokuar rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë. Përkundër thirrjeve nga ndërkombëtarët, barrikadat nuk janë larguar. /Express/

Fotografia kryesore është një pamje e mëhershme nga lagjja “Kroi i Vitakut”.