Lajme

Katër zyrtarë policorë në veri ende nën mëshirën e fatit, EULEX-i dhe KFOR-i refuzojnë të bëjnë tërheqjen e tyre

Tashmë janë bërë katër ditë që nga vendosja e barrikadave që bllokojnë disa rrugë në veri të vendit. Kamionët e rëndë dhe mjetet e tjera pos që po vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudarë të Zveçanit, kanë lënë të bllokuar edhe katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rreth 1 kilometër larg bazës së KFOR-it dhe në afërsi të fshatit Joshanicë, tre pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren dhe një i Njësitit të Policisë Kufitare në Veri, kanë mbetur të bllokuar që nga dita e shtunë.

Sipas burimeve të Sinjalit, Policia e Kosovës ka tentuar që të bëjë tërheqjen e tyre përmes EULEX-it dhe KFOR-it, mirëpo të dyja këto institucione kanë refuzuar që të kryejnë një veprim të tillë.

Të njëjtit kanë premtuar se mund të ofrojnë vetëm ushqime ose eventualisht edhe medikamente për policët që kanë mbetur të bllokuar, por jo edhe të bëjnë tërheqjen apo zëvendësimin e tyre me pjesëtarë tjerë të Policisë së Kosovës.

Sinjali ka provuar që të marrë një konfirmim nga drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija, nëse pjesëtarët e NJRSH-së në Prizren ndodhen të bllokuar në veri, mirëpo i njëjti ka deklaruar se nuk është në kompetencat e tyre të flasin për këtë çështje.

Po ashtu as zëdhënësit e Policisë së Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara nga Sinjali, duke mos dhënë informacione as detaje shtesë lidhur me policët.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, grupe të serbëve lokalë në veri të vendit kanë ngritur disa herë barrikada për të kundërshtuar aksione policore dhe vendime të Qeverisë së Kosovës.

Kësaj radhe tensioneve në veri të Kosovës u parapriu vendimi i Qeverisë për shqiptimin e gjobave për shoferët që lëvizin me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Duke kundërshtuar këtë vendim që nisi të zbatohej më 1 nëntor, serbët e veriut vendosën që të bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, duke dhënë dorëheqje si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina pezulloi planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.

Ndërkohë për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të katër Komunave veriore të banuara me shumicë serbe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por këto zgjedhje u shtynë për 23 prill të vitit 2023 për shkak të tensioneve të krijuara ditët e fundit në veri, ku u shkaktuan disa incidente e ndër të tjera mbeti i plagosur edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.