Vetura e aksidentuar s’është e Kurtit por e Sveçlës
E plotësuar: Një nga makinat e eskortës së ministrit të punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pësuar aksident trafiku në magjistralen Prishtinë – Gjilan, afër fshatit Llabjan.
Sipas policit në vendin e ngjarjes, ministri Sveçla nuk është lënduar, sepse ai ka qenë në një makinë tjetër brenda eskortës.
Kurse në makinën që u aksidentua janë lënduar disa policë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetë, por janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në spitalin e Gjilanit.
Vetura e policisë u përplas me një makinë të tipit Audi me targa të Bujanocit, njofton Albanian Post.
Polici në vendin e ngjarjes ka thënë se makina civile kishte humbur kontrollin gjatë vozitjes dhe u përplas me policinë.
Policia e trafikut më pas ka dalur në vendin e ngjarjes, derisa bëhet e ditur se nga makina civile nuk është lënduar asnjë person.
Ministri ka vazhduar rrugën drejt Gjilanit, pasi janë qartësuar të gjitha rrethanat.
****
Aksidentohet eskorta e kryeministrit Kurti gjatë kthimit nga Mitrovica
Është rrotulluar një veturë në rrugën Prishtinë – Gjilan.
Mësohet se kjo veturë ishte njëra nga katër sosh që përbënë eskortën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte nisur drejt qytetit të Gjilanit për të marrë pjesë në takimin me qytetarët, me të cilët edhe aktualisht po bisedon për punën njëvjeçare të kryetarit Alban Hyseni.
Me të arritur në Gjilan, para publikut, Kurti e ka konfirmuar se njëra nga veturat e tij ishte aksidentuar rrugës.
“Njëra prej eskortave që ishte me ne, ka pësuar aksident. Tash e morëm vesh, se janë mirë”, ka thënë Kurti para qytetarëve të Gjilanit.