Ish-zëdhënësi i KFOR-it: NATO nuk do ta lejojë kurrë kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë
Pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se do t’i kërkojnë KFOR-it, dislokimin e një numri të ushtarëve dhe policëve serbë në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244, ka reaguar Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, i cili ka thënë se NATO-ja nuk do ta lejojë kurrë kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë
Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka thënë se NATO-ja nuk do ta lejojë kurrë kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë.
Kështu ka thënë ai në një postim në Twitter, pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se do t’i kërkojnë KFOR-it, dislokimin e një numri të ushtarëve dhe policëve serbë në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244.
“Sipas rezolutës 1244, personeli serb mund të lejohet që t’i kryejë vetëm katër detyra (funksione). Asnjë nga këto pika nuk është në përputhje me situatën dhe qëllimet e Aleksandër Vuçiq. Ai e di mirë që NATO dhe KFOR-i nuk do ta lejojë kurrë këtë”, është shprehur Grasso.
Grasso ka publikuar edhe pjesë nga Rezoluta.
“Pas tërheqjes në numër i personelit jugosllav dhe serb do të lejohet të kthehet për t’i kryer funksionet e mëposhtme: Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë; Shënimi/pastrimi i fushave të minuara; Mbajtja e një pranie në vendet e trashëgimisë; Mbajtja e pranisë në pikat kyçe kufitare”, shkruhet në dokument.
Ndryshe, pjesëtarët e EULEX-it në veri të Kosovës janë sulmuar të shtunën e 10 dhjetorit, me bombë afër Rudares.
Por, nuk pati të lënduar.
“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, kishte njoftuar EULEX-i.
Sipas EULEX-it, ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.
Nga EULEX-i kanë kërkuar që të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese, “si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”.