Lajme

“Nëse je gjallë nesër kom me t’vra”/ Gjakovari i dehur denoncon gruan e tij në Polici, thotë se e kërcënoi me jetë

Numri i rasteve të dhunës në familje që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.

Shkak për këtë shpesh bëhet edhe konsumimi i tepërt i alkoolit, ku si pasojë burrat humbasin kontrollin mbi veprimet e tyre.

Sinjali mëson se një çift nga fshati Bec i Gjakovës kanë përfunduar në stacion policor, pasi burri pretendonte se bashkëshortja e tij e ka kërcënuar me jetë.

Bazuar në dëshminë e tij, 46-vjeçarja i kishtë lënë një letër ku e kërcënonte se nëse është gjallë, ditën e nesërme do ta vrasë. Ani pse ai e ka denoncuar rastin, nuk i është marrë deklarata nga hetuesit për shkak se ka rezultuar në gjendje të dehur.

Si rezultat i denoncimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka mohuar të ketë kërcënuar bashkëshortin e saj. Sipas saj, i dyshuari ka shkruar letrën në fjalë vet dhe këtë ajo e di për shkak se e ka parë fletën e grisur nga fletorja e fëmijëve.

Me urdhër të prokurorit, burri është ndaluar për 48 orë, ndërsa gruaja do të hetohet në liri. Ndaj tyre Prokuroria ka nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.