Lajme

Barikadat në Veri janë përforcuar me makineri të rëndë gjatë natës

Situata e përgjithshme e sigurisë gjatë natës së mbrëmshme në veri të vendit ka qenë e tensionuar.

KosovaPress raporton duke u thirrur në burime se dy shpërthime të fuqishme, një rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetra në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh.

Nuk dihet nëse ka pasur të lënduar apo dëme materiale, si dhe kush ka qenë cak i këtyre shpërthimeve e të shtënave me armë.

Sipas KP, barrikadat janë përforcuar gjatë natës me makineri të rëndë, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare, ndërsa janë vendosur edhe tenda për qytetarët të cilët po qëndrojnë tek barrikadat.

“Burimet më tej kanë shtuar se në barrikada ka shumë persona të panjohur dhe të armatosur të cilët kanë hyrë nga Serbia, ndërsa persona të maskuar po kujdesen për t’i sulmuar të gjithë ata që tentojnë t’i xhirojnë ose fotografojnë, duke përfshirë këtu gazetarët shqiptarë”, raporton Kp.

Raportohet se edhe ekipi i kësaj agjencie është penguar po ashtu sot rreth orës 5:00 të mëngjesit afër Rudares nga këta persona, të cilët sapo kanë vërejtur prezencën e gazetarëve kanë filluar t’i ndjekin ata duke i sharë dhe hedhur gurë në automjetin e tyre.

Ndërkohë, rrugët për Bërnjak dhe Jarinje vazhdojnë të mbesin të bllokuara.