Përleshja në fabrikën e metalit te Parku i Biznesit, ky është punëtori që e bëri për spital kolegun e tij
Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një përleshje që ka ndodhur në fabrikën e metalit ‘Power Pack’ te Parku i Biznesit në Korroticë të Epërme të Drenasit. Dy punëtorë atje janë përleshur fizikisht mes vete, me ç’rast njëri prej tyre, 26-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që po dyshohet se ka rrahur brutalisht kolegun e tij është Mergim Bazaj, i cili është dorëzuar në Polici, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet
Ai po dyshohet se ka rrahur viktimën aq keq, sa për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej, i njëjti është dërguar me urgjencë për në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë lidhur me rastin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të marrë më shumë informacione në lidhje me rastin.
Ndaj të dyshuarit, pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.