Lajme

I arrestuari për tentim vrasjen në Kodrën e Trimave ishte i përfshirë në grabitjen në Veternik ku u vra hajni

Para katër vitesh, kryeqyteti ishte tronditur nga rasti i grabitjes që ndodhi në Veternik, ku pronari i një shtëpie në vetëmbrojtje vrau njërin nga katër hajnat që hynë në shtëpinë e tij. Kujtim Krasniqi mbeti i vdekur, teksa i dyshuari tjetër Gëzim Braholli ishte arrestuar. Ky i fundit është emër i njohur për organet e rendit. Së fundmi është përfshirë në një rast të tentim vrasjes në Kodrën e Trimave, për çka qëndroi në arrati për plot dy muaj, ndërsa sot u dorëzua në Polici.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Braholli, 32-vjeçar po dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri, më 6 tetor në lagjen Kodra e Trimave, ku për pasojë një person kishte mbetur i plagosur. Viktima ishte dërguar me urgjencë në spital, ndërsa i dyshuari kishte arritur që të arratisej nga vendi i ngjarjes.


Por pasi shijoi lirinë për këtë periudhë kohore, burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Braholli ka vendosur që të paraqitet në stacion policor për intervistim. Dorëzimit të tij i parapriu ftesa e lënë nga Policia, e cila arriti ta lokalizojë vendndodhjen e tij gjatë ditës së djeshme, me ç’rast e ftoi të paraqitet në stacion policor.

Pas intervistimit gjatë ditës së sotme, me urdhër të prokurorit, Braholli është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe avokati i tij, teksa për ndalimin e Brahollit është deklaruar edhe Policia.

Historia e rastit në të cilin ishte përfshirë Braholli

Gzim Braholli ka qenë njëri prej grabitësve që dyshohet se kishte tentuar të futej në shtëpinë e Ridvan Beqirit për të vjedhur në nëntor të vitit 2018 në lagjen “Veternik”. Gjatë kësaj tentim grabitje Kujtim Krasniqi 40-vjeçar kishte mbetur i vdekur, pasi pronari i shtëpisë, Beqiri në vetëmbrojte ishte përleshur me ta.

Nga ajo përleshje Krasniqi kishte mbetur i vrarë, teksa të dyshuarit e tjerë arritur të iknin nga vendi i ngjarjes. Atë kohë Braholli kishte qëndruar në arrati për më shumë se 10 muaj, derisa ishte arrestuar nga Policia.

Por prangosja e tij fillimisht s’lidhej me këtë rast, por me një rast tjetër, ku Braholli dyshohet se bashkë me një mik të tij për shkak të një prone kanë detyruar një person të paguajë 93 mijë euro. Ky rast ishte konfirmuar edhe nga Policia.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.