Kurti paralajmëron shtim të forcave policore në veri, fton qytetarët për mbështetje!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmeve në veri të Kosovës të martën, ku nuk janë lejuar zyrtarët e KQZ-së të kryejnë detyrën.
Kurti ka thënë se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri pasi po e dinë se po ju vjen fundi. Ai ka paralajmëruar shtim të forcave të Policisë së Kosovës në veri.
“Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.