Lajme

Dëshmia në gjykatë: E ndjera i kishte ofruar para të dyshuarit vetëm ta linte të qetë

Në mesin e shumë problemeve të cilat Hamide Magashi i kishte denoncuar në hetuesi dhe dosje të tjera të mbledhura nga organet ndjekëse përmendet edhe fakti se e ndjera i kishte ofruar para ish bashkëshortit vetëm e vetëm që ta linte të qetë dhe për ta lejuar ndarjen.

Madje ky fakt ishte përmendur edha para gjykatës.

Në një procesverbal të cilin e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se i dyshuari për vrasjen e Hamide Magashit, Sokol Halili i kishte thënë gjykatësit që gruaja e tij i ka ofruar para për ta lejuar që të shkojë në shtëpi.

“Më ka premtu një shumë të madhe të pareve veç me e lanë me shku te shtëpia e babës, më ka thanë martohu me kë të duash, vetëm më lë rehat mua dhe fëmiun”- përshkruhet në procesverbalin gjyqësor të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Madje para gjyqtarit, i dyshuari kishte deklaruar se nuk do ta linte të lirë Hamide Magashin me asnjë kusht, pasi nuk do lejonte që fëmiun ta mbante e ndjera. E gjithë kjo ishte thënë para gjykatës në kohën kur po vendosej urdhëri mbrojtës.

Të gjitha këto deklarata i kishte bërë i dyshuari Sokol Halili në kohën kur në Gjykatë po shqyrtohej kërkesa për mbrojtjen e viktimës.

Ndërkaq deklaratat e viktimës para hetuesisë tregonin se e njëjta kishte raportuar dhunën e vazhdueshme me të cilin ishte përballur e ndjera.

Pagat e realizuara nga puna në Komunën e Ferizajt, Hamide Magashi kishte deklaruar se detyrohej t’ia dorëzonte çdo muaj bashkëshortit.

Në këtë dosje, viktima kishte deklaruar se edhe çdo vizitë të bërë në familjen e saj kishte qenë e shoqëruar nga vjehrra dhe e vëzhguar nga bashkëshorti.

Përpos përcjelljes së vazhdueshme nga vjehrra dhe bashkëshorti, viktima kishte raportuar edhe për kërcënimet me armë, dhunën e vazhdueshme të cilën e kishte pasur.

Madje Magashi kishte raportuar se nga burri kishte pasur edhe kërcënime me vrasjen e burrit të motrës dhe kryerjes së marrëdhënies seksuale me motrën e saj në praninë e saj.

Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga i dyshuari Sokol Halili.

Pas këtyre deklaratave në fund të muajit korrik të këtij viti ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Sokol Halili.

Gjatë kontrollit atij i ishin gjetur dy armë zjarri, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas.

Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

Për armëmbajtje pa leje Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë prej 300 euro.

Hamide Magashi u vra të enjten mbrëma në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili pasi dyshohet se e kreu krimin u largua në drejtim të panjohur.