A mund të shpëtohej foshnja e 35-vjeçares së vrarë, flet gjinekologu
Gjinekologu, Shefqet Ulaj, në një lidhje direkte në emisionin “Frontal” të T7 ka treguar se a do të mund të shpëtohet foshnja që ishte në barkun e 35-vjeçares, Hamide Magashi, që u vra mbrëmë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.
Ai tha se nxjerrja e foshnjës nga nëna e vdekur për herë të parë është bërë 100 vjet para Krishtit, derisa shtoi se edhe etika mjekësore e lejon këtë intervenim nëse konstatohet që nëna ka vdekur e foshnja është gjallë.
“Nxjerrja e frytit nga mitra e nënës së vdekur është bërë për herë të parë 100 vjet para Krishtit. E drejta romake ka lejuar një intervenim të tillë kur është konstatuar se nëna ka vdekur dhe fryti është i gjallë. Etika mjekësore lejon që nëqoftëse konstatohet që nëna ka vdekur e fryti është i gjallë, atëherë lejohet hapja e abdomenit dhe nxjerrja e frytit. Nuk duhet ndonjë parapërgatitje për fushën operative, duhet një skalper dhe prehet abdomeni. Por gjatë kësaj kohe duhet të bëhet përpjekje për reanimimin e nënës”, tha Lulaj.
Mirëpo, situata e mbrëmshme, sipas Lulajt, ishte “dramë e vërtetë”. Ai thotë se i kupton kolegët që e kanë pasë të vështirë për t’u përcaktuar.
“Kjo ka qenë një dramë e vërtetë edhe për mjekët, në këto situtata të papritura ndoshta dikujt i ka shkuar ndërmend për të marrë një hap të tillë, por për t’u realizuar një ndërhyrje duhet të konstatohet se nëna e vdekur, fryti i gjallë. Nuk e di a është mundur të konstatohet kjo mbrëmë në atë situat”, tha ai.
“Kur pritet një grua të vdes dhe nuk ka shpëtim atëherë në situata kur një paciente është e shtrirë në spital është më lehtë për të vendos për këtë intervenim, por për një situtatë të tillë dramatike i kuptoj kolegët që e kanë pasë vështirë me u përcaktu”, deklaroi Lulaj në “Frontal”.
“Një prej mundësive të pakta ka ekzistu, por nuk është lehtë për me vendos për një intervenim të tillë. E njëjta pyetje ish bo nëse nuk kish mujt me u realizu me sukses”.
Kujtojmë që mbrëmë rreth orës 18:00 Hamide Magashi u vra në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. I dyshuar për vrasjen e saj është ish burri i saj, Sokol Haliti, i cili ende gjendet në arrati.