Krimi monstruoz që tronditi Kosovën – Krejt çka dihet për gruan shtatzënë që dyshohet se u vra nga ish-burri i saj
Një krim monstruoz ndodhi sonte rreth orës 18:00 në oborrin e QKUK’së. Një burrë dyshohet se vrau ish-gruan e tij shtatzënë, e cila ishte në ditët e fundit të lindjes. H.M,35-vjeçare u vra para klinikës së Gjinekologjisë me disa plumba.
Menjëherë pas orës 18:00, oborri i QKUK’së u mbush me patrulla të Policisë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Gazetën Express tha se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.
Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti e ka konfirmuar për Gazetën Express se viktima rreth 35-vjeçare që dyshohet se u vra në oborrin e QKUK’së është Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i Lipjanit.
Sipas raportimeve në media, nga të shtënat ka mbetur e vdekur edhe foshnja.
Rreth dy orë më pas, T7 raporton nga vendi i ngjarjes, se tashmë familjarët e Hamide Magashit, kishin mbërritur në QKUK, ku në fotografitë e dërguar shiheshin në gjendje të rëndë emocionale.
Hamide Magashi ishte duke jetuar me babanë e saj që kur u nda nga burri i saj.
Kështu e konfirmoi për T7 motra e viktimës, e cila tha se H.M dhe burri i saj kanë pas probleme edhe më herët, dhe se burri i saj gjithmonë ka mbajtur armë e thikë në shtëpi.
Sipas saj, viktima është ndarë me të me ndihmën e Policisë.
Motra e viktimës tregoi edhe për trajtimin mizor që përjetoi Hamide Magashi sa ishte e martuar me të dyshuarin.
Ajo tha se për 6 muaj, burri i saj nuk e ka lënë Hamide Magashin të dalë prej shtëpisë. Sipas saj, ai ia ka lidhur asaj duart dhe këmbët duke e mbajtur në shtëpi e duke i qëndruar me thikë.
Sipas raportimeve në media, i dyshuari për këtë rast është Sokol Halili, 31-vjeçar i cili dyshohet se e ka qëlluar ish-bashkëshorten Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugaxhi i Lipjanit dhe më pas ka ikur.
Policia ka nisur një operacion për kapjen e tij, ndërkohë që sipas të njëjtave burime, i dyshuari ka ikur nga QKUK-ja me veturën e tij Opel Astra.
Pas këtij rasti të rëndë që tronditi Kosovën, politikanë e pjesëtarë të shoqërisë civile kanë reaguar duke kërkuar drejtësi dhe dënim maksimal për vrasësin.
Po ashtu, Rrjeti i Grave të Kosovës ka organizuar nesër protestë, duke I ftuar të gjitha qytetarët që t’i bashkohen nesër kësaj proteste që fillon prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti.