Lajme

“Djalin ta thera, tash t’vi ty”/ Zbulohen detaje për rrahjen brutale në Kaçanik, kapen edhe dy persona

Për motive ende të panjohura, një ngatërresë mes disa personave të martën në Kaçanik, për pak sa nuk përfundoi tragjikisht. Një person u ther me thikë dhe pësoi plagë të rënda, pasi paraprakisht u sulmua brutalisht nga disa persona. Tash për tash Policia ka identifikuar shtatë persona të dyshuar, disa prej të cilëve ndodhen nën ndalim policor. Sinjali ka mësuar detaje të reja për këtë rast, për të cilin kanë nisur hetimet në drejtim të tri veprave penale.

Pesë personat që ranë fillimisht në prangat e Policisë dyshohen se kanë marrë pjesë në rrahje, ku kanë sulmuar fizikisht viktimën, të cilin më pas njëri nga të miturit dyshohet se e ka therur me thikë duke i shkaktuar atij lëndime trupore.

I mituri i cili dyshohet se përdori mjetin e mprehtë gjatë përleshjes, është dërguar në mbajtje për 24 orë, kurse një 21-vjeçar që dyshohet se i ndihmoi u ndalua për 48 orë, ndërsa tre të dyshuar tjerë që morën pjesë në rrahje janë lënë në liri.

Por Sinjali mëson se pas veprimeve hetimore të Policisë janë identifikuar edhe dy të dyshuar të tjerë, të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në këtë rast. Burimet thonë se njëri dyshohet po ashtu për lëndim të rëndë trupor, teksa tjetri për kanosje.

I dyshuari që u ndalua për kanosje është një 42-vjeçar, i cili sipas informacioneve të para, e ka kërcënuar babain e viktimës që u ther me thikë. Pas rastit të rëndë që ndodhi, ai dyshohet ta ketë telefonuar duke i thënë se “djalin ta thera, tash t’vi ty”, teksa e ka ofenduar duke ia përmendur edhe bashkëshorten.

Këto detaje u zbuluan pasi babai i viktimës ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë, ku ka rrëfyer para hetuesve policorë për rastin e therjes me thikë të të birit. Dëshmitë dhe informacionet e mbledhura deri tash do të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, për të cilin tashmë Prokuroria po zhvillon hetime.

Në anën tjetër, burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se viktima është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, mirëpo i njëjti po vazhdon trajtimin mjekësor nën përkujdesjen e stafit shëndetësor.