Lajme

Pamje nga rrahja e mjekut Iljasa Fazliu në Gjilan, dyshohet se abuzoi me 5-vjeçaren me autizëm

Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një klinikë private në Gjilan, ku doktori Iljasa Fazliu, defektolog i Logopedisë, po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije me autizëm. Ai është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar një 5-vjeçare, teksa po e trajtonte në qendrën rehabilituese defektologjiko-logopedike AAR LOGO PLUS.  Arrestimi i tij erdhi pasi i njëjti fillimisht u sulmua nga prindi i një fëmije, i cili e akuzoi për keqtrajtim të vajzës së tij me autizëm.

Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive të rrahjes së mjekut, në lokalin Metro, në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, dje pasdite, ku shihet se si sulmohet nga dy të dyshuarit e tjerë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit për sulm ndaj mjekut janë Isak Shala dhe Rilind Vllasaliun. Ata janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.Rrahja u bë sebep që Policia ta arrestojë mjekun, i cili pas shoqërimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor“.

Dy të dyshuarit e arrestuar për sulm e kanë sulmuar mjekun e dyshuar në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, duke e grushtuar të njëjtin, derisa ishte jashtë detyrës, në një kafene në atë zonë.

Akuzat se mjeku e ka maltretuar fëmijën e të dyshuarit,derisa po e trajtonte e ka bërë babain e tij që bashkë me të dyshuarin tjetër ta sulmojnë atë fizikisht.

Ndryshe, Fazliu është edhe ushtrues i detyrës së shefit të shërbimit të Logopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pozitë kjo të cilën e kishte marrë në shtator të këtij viti.

Vepra për të cilën mjeku Fazliu do të hetohet sanksionohet me Kodin Penal të Republikë së Kosovës dhe dënohet edhe me burgim.

“Mjeku, stomatologu ose punonjësi tjetër shëndetësor, i cili me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, përdor haptas një mjet apo metodë të papërshtatshme të mjekimit ose në ndonjë mënyrë tjetër haptazi nuk i zbaton rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor ose haptazi vepron në mënyrë të pakujdesshme, duke shkaktuar kështu keqësimin e sëmundjes ose dëmtimin shëndetësor të personit tjetër, dënohet me burgim me jo më shumë se një (1) vit.”, thuhet në nenin 254.