Përleshje në Istog: Tre të mitur rrahin dhe therin me thikë një 20-vjeçar
Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Për një rast të tillë kanë përfunduar në prangat e Policisë edhe një i ri në Viti, raporton Sinjali.
Një përleshje mes disa personave ka ndodhur edhe dje në Istog, ku tre të mitur dyshohet se kanë sulmuar fizikisht e më pas kanë therur me thikë një 20-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje për ndihmë mjekësore, pasi që i njëjti kishte marrë lëndime trupore nga goditjet dhe disa plagë në fytyrë dhe trup nga thika.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë intervistuar viktimën, i cili në detaje ka rrëfyer gjithë ngjarjen. Sipas tij gjithçka ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje që kishin pasur gjatë muajve të verës.
Në vendin se ku ka ndodhur rrahja, Policia ka gjetur dhe sekuestruar mjetin e mprehtë që dyshohet se u përdor në rast dhe ka arrestuar tre personat e dyshuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.