E dhimbshme: Kjo është 53-vjeçarja që vdiq nga zjarri në një shtëpi në Malishevë – trupi dërgohet në IML
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmë në Malishevë, ku një shtëpi banimi është përfshirë nga zjarri, ndërsa si pasojë ka humbur jetën një grua.
Mesohet se rasti ka ndodhur në fshatin Goriq, ku viktimë ka mbetur Feride Mazreku, rreth 53-vjeçare.
Burime të besueshme bëjnë me dije se rreth orës 22:20 autoritetet janë njoftuar për zjarrin, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë relevante policore, zjarrfikësit, eksperti i zjarrit, si dhe një ekip i KEDS-it.
Po ashtu, në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i emergjencës nga QKMF-Malishevë, i cili ka ofruar ndihmë mjekësore për një person tjetër, për shkak të tymit dhe djegieve, ndërsa mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
Shkaktari i zjarrit, për momentin, nuk dihet, ndërsa për rastin janë angazhuar edhe Hetimet Rajonale DRP-Gjakovë, bashkë me Prokuroren e Shtetit, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit si:
“Incident zjarri – Hetimi i vdekjes”
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti po hetohet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

