Ky është identiteti i të dyshuarit që i mori jetën nënës së tij në Restelicë të Dragashit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur orët e para të mëngjesit banorët e fshatit Restelicë në komunën e Dragashit, ku dyshohet se një grua ka humbur jetën në rrethana tragjike brenda shtëpisë së saj.
Sipas informatave fillestare, viktima dyshohet se është vrarë nga djali i saj, i cili është arrestuar nga Policia në vendin e ngjarjes, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas informatave, rasti është raportuar sot, më 21 janar 2026, rreth orës 01:06, kur Policia është njoftuar se brenda një shtëpie kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, ku viktima me inicialet T.B dyshohet se është vrarë.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari në këtë rast është Ferzidin Boza, rreth 30-vjeçar, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes nga njësitet policore.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës nga QKMF-Dragash, ku mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës T.B., rreth 60-vjeçare.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit, forenzika, Hetimet Rajonale – Prizren si dhe Prokurori për Krime të Rënda.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti po trajtohet dhe hetohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

