“Rrahje me kabllo në ditën e Bajramit”- Si e kërcënonte Astrit Isufi bashkëshorten se do t’i vrasë familjen
Rrahje me kabllo, kërcënime se do t’i vrasë familjen, paralajmërime se mbante armë në të kaluarën, kallxo.com ka arritur që të zbuloj detaje për ngjarjen që ishte regjistruar në mars të këtij viti e ku viktimë ishte gruaja e tashmë tëdyshuarit kryesor për vrasjen e vëllezërve Morina në Malishevë.
Dje u raportua se më 06.11.2025, se ndaj Isufit kishte pasur një aktakuzë në prill të këtij viti për dhunë në familje e kanosje.
Për këtë ngjarje KALLXO.com zbuloi se ekzistonte edhe një vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës për çka e dënonte Isufin për rrahjen dhe kërcënimin e bashkëshortes së tij.
E madje ngjarja shkon edhe më larg kur vendoset që dënimi i Gjykatës së Prishtinës të ndryshohet nga Gjykata e Apelit, dënimi ulet duke vlerësuar se ka arritur efektin e përgjegjësisë së të dënuarit.
Isufi ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 07.04.2025. Në vendim jepen detaje të ngjarjes së dhunës në familje dhe kanosjes ndaj bashkëshortes së tij.
Dosja përshkruan se Astrit Isufi më 30 mars 2025, rreth orës 15:00 por edhe në të kaluarën kishte rrahur gruan e tij e kishte kërcënuar që nëse ndahet nga ai do t’ia vrasë familjen.
Ky paralajmërim është theksuar edhe në dosjen e gjykatës për vendimin që i ishte dhënë me burgim.
E rrahu gruan në ditën e festës së Bajramit
Më 30 mars 2025, Astrit Isufi sipas dosjes së gjykatës rreth orës 06:00 të mëngjesit përderisa gruaja e tij e kishte përgatitur drekën e festës së Brajramit, i pandehuri ishte zgjuar nga gjumi e kishte thirrë gruan e tij dhe e kishte goditur me peshqir në trup duke i kërkuar të njëjtës që t’i zgjoj fëmijët nga gjumi.
Gruaja kishte shkuar të fëmijët por ata nuk ishin zgjuar e ishte kthyer sërish te Astrit Isufi për t’i treguar. Dosja tregon se Astrit Isufi ishte nervozuar e më pas kishte nisur ta sulmoj gruan e tij me shuplakë e grushte në fytyrë e trup.
Disa orë më vonë, kur Astrit Isufi ishte kthyer në shtëpi pasi kishte shkuar të përshëndes familjarët për festën e Bajramit, kishte kërkuar ushqim nga gruaja e tij dhe kjo e fundit i kishte thënë se mungonte një produkt ushqimor e kjo më pas sërish kishte qenë një sherr i cili shkaktoi dhunën fizike të dytë brenda ditës nga Astrit Isufi te bashkëshortja e tij.
Dosja shpjegon se kur kishte marrë vesh Astriti se mungon një produkt, i kishte marrë pjatat e ushqimit dhe i kishte gjuajtur në tokë e më pas e kishte kap gruan e tij për dore e kishte tërhequr zvarrë e kishte futur brenda dhomës dhe kishte nisur ta qëlloj me një kabllo të rrymës në pjesë të ndryshme të trupit.
Në ato momente vajza e tyre kishte hyrë brenda dhomës dhe i kishte kërkuar babait të saj të ndaloj sepse ‘po e mbyste nënën’.
Ani pse kishte kërkesë nga vajza, dosja shpjegon se Astrit Isufi nuk kishte ndaluar deri sa i është dukur mjaftueshëm se e ka rrahur të dëmtuarën në këtë rast gruaja e tij dhe më pas e kishte larguar nga shtëpia.
Në po të njëjtën ditë, Astrit Isufi sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com e kishte kërcënuar gruan e tij dhe e kishte paralajmëruar se nëse ndahet nga ai do t’ia vrasë gjithë familjen.
“Ti nuk guxon me u nda me mua, se ka me ta vra familjen, ka me t`i faru krejt”- përshkruhet kërcënimi që i kishte bërë Astrit Isufi, gruas së tij më 30 mars 2025.
Kjo situatë të njëjtës i kishte shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.
Më krejt këto veprime që Astrit Isufi kishte kryer ndaj gruas së tij, Gjykata në Prishtinë- Dega në Drenas, kishte dënuar të njëjtin me burg në kohëzgjatje me 154 ditë dhe 300 euro gjobë për dhunë në familje ndërsa për kanosje ishte gjobitur me 500 euro.
Xhelozia shkak i dhunës në familje
Pa telefon, duke përjetuar dhunë të vazhdueshme fizike, gruaja e Astrit Isufit në deklarimin e saj në seancën për caktimin e paraburgimit kishte thënë se burri i saj nuk i kishte lejuar telefon, nuk ka mundur më herët të raportoj dhunën në familje sepse nuk kishte mundësi, burri i saj ishte xheloz dhe i njëjti nuk ia kishte dashur familjen gruas së tij dhe i kishte thënë shumë herë që ‘nuk kanë çka lypin këtu’.
Gruaja kishte informuar organet e rendit muaj më parë se burri i saj kishte një armë të cilën e posedonte kohë më parë.
Ajo pas ngjarjes kishte qëndruar te familja e saj ndërsa fëmijët te babai për shkak që të mos ndërpritej shkollimi i tyre.
Për vendimin e Themelores, Astrit Isufi ishte ankuar në Apel
Astrit Isufi ishte dënuar me rreth 5 muaj nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndërsa Gjykata e Apelit kishte bërë ndryshim të vendimit të shkallës së parë duke i ndryshuar edhe kohëzgjatjen e dënimit nga 5 në 3 muaj për rrahjen brutale të gruas së tij si dhe kërcënimet ndaj të njëjtës.
Gjykata e Apelit më 26.06.2025 kishte marrë vendim që të aprovoj ankesën e mbrojtësit të Astrit Isufit.
Gjykata e Apelit kishte vendosur që në total t’i jap Astrit Isufit dënim me burg 3 muaj dhe gjobë prej 300 euro për dhunë në familje ndërsa nuk kishte ndryshuar dënimin me gjobë për veprën penale të kanosjes.
Për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, kishte bërë ankesë avokati i Astrit Isufit, Muhamet Binaku. Në përgjigjen në ankesë ishte paraqitur edhe përfaqësuesi i gruas së Astritit, Faik Morina duke treguar se gruaja ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me Astritin në Komoran te fëmijët e saj më 22.04.2025 me marrëveshjen e dy palëve të familjes.
Gjykata e Apelit kishte mbajtur edhe seancën e kolegjit dhe kishte shqyrtuar ankesën e cila nuk ishte për shkelje esenciale të vendimit por për ndryshimin e saj. Mbrojtësit e dy palëve në këtë rast Astrit Isufit dhe gruas së tij kishin mbështetur kërkesën që të shqiptohej një dënim alternativ siç është ai me kusht.
Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar të gjithë situatën dhe kishte ardhur në përfundim që t’i ulte dënimin me burgim të dënuarit Astrit Isufit nga 5 muaj në tre muaj burgim duke shtuar se ky dënim është më i butë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të kryerjes së veprës penale me shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarit dhe kjo do të shërbej si preventivë gjenerale.
Kush është Astrit Isufi
Astrit Isufi deri më tani dyshohet se është i dyshuari kryesor për vrajsen e dy vëllezërve të gruas së tij në fshatin Gollubovc të Malishevës.
Deri më tani ende nuk janë të qarta rrethanat që çuan deri te vrasja por që nga Policia është konfirmuar se i njëjti është i plagosur po ashtu.
Në vendin e ngjarjes ishin gjetur dy armë ndërsa për më shumë se 15 orë, Isufi ishte në arrati ndërsa u arrestua më 07.11.2025 në fshatin Plloçicë.
Ai aktualisht ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke marrë tretman mjekësor ndërsa gjendja e tij është stabile.

