Detaje të reja nga vdekja e 25-vjeçares nga Gjakova: Pati presion fizik dhe psikik nga i dashuri i saj (VIDEO)
Gazetarja Liridona Vejseli ka thënë se Daorsa Spahiu, 25-vjeçarja nga Gjakova, që vdiq mbrëmë në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, pati vazhdimisht presion fizik dhe psikik nga i dashuri i saj.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ajo ka deklaruar se dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes i kishin thënë asaj se vazhdimisht e ndjera kishte pasur probleme dhe se kishin dëgjuar britma nga banesa e saj, njofton Klankosova.tv.
“Fjalët e para që na thanë banorët që banonin aty, ishin se vajza në fjalë ka vuajtur dhe se ka pasur shumë britma dhe dhunë fizike, si dhe një gjendje të tensionuar fizike të sajën”.
“Edhe komshinjtë tjerë që e patën afër, atë e kanë fotografuar dhe e kanë regjistruar, sepse vajza disa herë në ballkonin e banesës së saj ka qarë, ka dashur të bëjë vetëvrasje, është kthyer prapë, ka folur në telefon, ka qarë dhe ka shkruar mesazhe. Pra, rrethanat të gjithë i dinë se vajza ka pasur probleme dhe askush nuk e ka marrë guximin t’i njoftojë autoritetet”, ka thënë Vejseli.
E njëjta ka pohuar se para se të ndodhte ngjarja, vajzës i kishte rënë telefoni në një kafene.
“Aty ku është banesa, në anën tjetër ka një kafiteri, ku fillimisht kishte rënë telefoni i vajzës nga banesa mbi kafiteri. Pronari e kishte marrë telefonin dhe e kishte parë duke cingërruar, ku dikush e kishte thirrur dhe i kishte thënë se telefoni është i vajzës në fjalë dhe se për gjysmë ore do të shkonin që ta merrnin telefonin”, tha Vejseli.
Vejseli tha më tutje se pronari i kafiterisë kishte pritur që të shkonin ta merrnin telefonin dhe më vonë e kishte parë policinë në vendin e ngjarjes dhe e kishte kuptuar se vajza kishte vdekur.
“Në vendin e ngjarjes, policia dhe prokuroria kishin gjetur barna për gjendje të rënduar të shëndetit mendor”, ka thënë ajo.

