Ky është polici që dyshohet se rrahu bashkëshorten – dërgohet në mbajtje
Gazeta Sinjali sjell ekskluzivisht identitetin e zyrtarit policor që dyshohet se mëngjesin e sotëm ka ushtruar dhunë brutale ndaj bashkëshortes së tij në qytetin e Gjilanit.
Bëhet fjalë për Leutrim Tahirin, pjesëtar i Njësisë për Reagim të Shpejtë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Tahiri dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten në banesën e tyre, duke i shkaktuar fraktura në hundë, teksa në atë moment të pranishëm kanë qenë edhe dy fëmijët e mitur të çiftit. Gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes e kanë forcuar dyshimin për aktin e dhunës.
Pas raportimit të rastit nga Qendra e Emergjencës në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet, ndërsa me vendim të Prokurorit Kujdestar, zyrtari policor është dërguar në mbajtje për 48 orë.
IPK ka propozuar që ai të suspendohet përkohësisht nga detyra për tri ditë pune, në mënyrë që të mos ndikojë në hetimin e rastit.