Lajme

I prangosuri kërcen nga vetura e policisë derisa ishte në lëvizjes, arrin të ikë

Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen. Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, nga stacionet policore, apo nga vetura zyrtare.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në fshatin Pasjak të Gjilanit, ku zyrtarëve policorë të Hetimeve Rajonale në Prishtinë, iu ka iku një i dyshuar nga vetura zyrtare, derisa po e dërgonin në qendër të paraburgimit, për shkak se iu ishte caktuar një muaj paraburgim.

Burimet thonë se rasti ka ndodhur sot paradite edhe i dyshuar është I.S., ndaj të cilit Gjykata kishte marrë vendim për t’ia caktuar masën e sigurisë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.

I njëjti ka arritur që të largohej teksa vetura ishte në lëvizje dhe ia ka mbathur në një drejtim të panjohur. Policia është vënë në kërkim të tij, por akoma nuk e kanë kapur të dyshuarin. Për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.