Lajme

Pas 20 vitesh martesë, gruaja në Prishtinë e denoncon burrin për dhunë – largohet nga shtëpia

Dhuna në familje është një fenomen mjaft shqetësues dhe viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat keqtrajtohen fizikisht e psiqikisht nga burrat dhe për pasojë kërkojnë mbrojtje institucionale, raporton Gazeta Sinjali.

Në vendin tonë përditë raportohen raste të shumta të dhunës, ku gratë përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga partnerët e tyre. Një rast i tillë është raportuar edhe dje nga një grua në Prishtinë, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici.

Sinjali mëson se viktima ka deklaruar se me të dyshuarin është e martuar tash e 20 vite dhe sipas saj, i njëjti kohë pas kohë ka sjellje agresive dhe ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj saj. Rasti i fundit ka bërë që viktima të mos hesht më dhe të kërkojë ndihmë, pas presionit dhe dhunës së ushtruar nga burri i saj, i cili i kërkoi që të largohej nga shtëpia.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka ftuar të dyshuarin për t’u paraqitur në stacion, pasi nuk ndodhet në Kosovë. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’ dhe veprimet e tjera do të merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.