E rëndë: Djali rrah babanë dhe e kërcënon me vdekje për çështje pasurie, dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje ka ndodhur mbrëmë në lagjen Lakrishte, Prishtinë, ku një burrë ka raportuar në polici se është sulmuar dhe kërcënuar për jetën nga djali i tij, i cili dyshohet të jetë përdorues i rregullt i substancave narkotike.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar në polici pas një konflikti mes babait dhe djalit, i cili ka agravuar në dhunë fizike dhe kërcënime serioze. Viktima, S. S, 64-vjeçar, ka deklaruar para hetuesve se djali i tij, Sabit Saiti, 31-vjeçar, e kishte sulmuar fizikisht në banesën e tyre, duke e shtyrë disa herë dhe duke tentuar ta godasë me një shishe.
Përveç dhunës fizike, viktima ka pohuar se i biri e ka kërcënuar me jetë, duke i thënë: “Nëse ti e shet hisen time dhe s’më jep paratë, unë do të mbys ty dhe krejtve.”
Sipas informacioneve, i dyshuari ishte liruar një ditë më parë nga Psikiatria Emergjente, ku kishte qenë duke u trajtuar nga varësia prej droges.
Menjëherë pas raportimit, policia ka shoqëruar të dyshuarin në spitalin e psikiatrisë, por ai nuk është pranuar për trajtim nga klinika. Më pas, në prani të avokatit të tij mbrojtës, ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar , i cili ka udhëzuar që rasti të cilësohet si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari të dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast