KryesoreLajme

Demë Elshani lajmërohet pas 22 vitesh në arrati: “As unë, as nipi im nuk sulmuam familjen Dezdari – shpërthimin mund ta ketë kryer Meriton Mjekiqi, shkaku i reketit”

Një shpërthim i orëve të para të mëngjesit të sotëm në Pejë, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje Adem Elshanin, i njohur si Demë Elshani – 50 vjeçarin nga Ozdrimi i Pejës që është arratisur nga Kosova qysh prej vitit 2003, e që kërkohet nga Policia e Kosovës për dy vrasje e 3 tjera të mbetura në tentativë. Dema, ndaj të cilit qysh në vitin 2017 ka edhe fletëarrest ndërkombëtar aktiv, është lajmëruar të enjten në format e kontaktit të gazetës Reporteri.net dhe ka folur ekskluzivisht për mediumin, për herë të parë 22 vite pas “zhdukjes” së tij nga vendi.

Alban Dezdari, një i dënuar nga gjykata për rastin e vrasjes së dy policëve të UNMIK-ut më 2004, për shpërthimin e së enjtes, me granatë dore, në lokalin e familjes së tij, që ndodhet në katin përdhes të shtëpisë së tij, akuzoi Demë Elshanin.

“Vëllain tim e ka kërcënuar personalisht Demë Elshani. Së pari e kanë thirrur për një deklaratë për zbardhjen e rastit të një biznesi tjetër, që ai [Elshani, v.j] e ka gjujtë një biznes tjetër”, ka thënë ndër tjera Alban Dezdari, pak orë pas shpërthimit.

Deklarata e Dezdarit u transmetua edhe në gazetën online Reporteri.net, dhe pak orë pas publikimit të saj, në redaksi të mediumit, përmes telefonit u paraqiten familja Elshani, e përmes tyre, më vonë, ekskluzivisht për gazetën Reporteri.net foli edhe vetë i arratisuri Demë Elshani.

“O pasha zotën se kam sulmu, ato. Atë rrenc. Atë kriminel, nuk e kam sulmu”, tha Demë Elshani në reagimin për gazetën online Reporteri.net, në paraqitjen e tij të parë publike 22 vite pas ikjes nga Kosova.

“Alban Dezdarin nuk e kam sulmu as nuk e kom pas nijet me e sulmu”, tha ai duke mohuar kategorikisht përfshirjen e tij në rastin e sotëm, por duke lënë porosi kërcënuese për në të ardhmen ndaj Alban Dezdarit dhe vëllait të tij.

“Kërcënime janë se një njeri që mu më ka vjedhë edhe vjen ma njollosë emrin, me ardhë një hajn, një kriminel, e më thanë që prej tij e kem. Ku pe din që prej meje. Unë kurrë nuk e kam thirrë me kercenu, nuk është e vertëtë. Ai, Kurbin Dezdari, më ka thirrë mu, se ka pas numrin tem. Unë e kam kontaktu me Buqukt, unë e kam shti me jau marr pijet Buqukt, kur janë kanë ata mirë me mu, deri kur e kam zbulu që më kanë vjedhë e më kanë tradhtu”, tha Demë Elshani në bisedën ekskluzive me gazetën online Reporteri.net, e cila e plotë, në versionin audio do të publikohet të premten.

“Unë nuk merrna me gjujtë bume nëpër shpija”, tha Adem Elshani, i njohur si Dema, i arratisur që 22 vite nga Kosova, i cili pos që e largoi nga vetja përgjegjësinë për shpërthimin e orëve të para të mëngjesit në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë, nga akti e distancoi edhe nipin e tij Qëndrim Elshanin, të cilin e përmendi gjithashtu Alban Dezdari në deklaratën e tij, të enjten gjatë ditës.

“Nipi jem Qëndrimi nuk e banë kurrë këto. Unë garantoj me jetë, se Qëndrimi as s’ja ka ba kurrë kuj, as nuk ja ban kurrë kuj, një gja të tillë. A more vesh? Nuk jami na tinzaka me dalë mas shpine. Ai duhet me u rujt prej atyne që ju ka qitë reket, duhet me u rujt prej atyne që jau ka kallë biznisin e rent-a-car’it”, tha Demë Elshani, i cili po ashtu pretendoi se nipi i tij Qëndrimi është invalid.

“Me pa dashtë me e gjujtë e me i kall shpija nuk i kisha ba kallxim penal”.

Tutje, në bisedën e ekskluzive për gazetën online Reporteri.net, Demë Elshani përmendi dhe implikoi edhe disa të tjerë, të cilët sipas tij, shkaku i të bëmave të tyre kriminale kanë mundur ta kenë sulmuar familjen Dezdarin, në lokalin e tyre që ndodhet në katin përdhese të objektit ku banojnë në Pejë.

Në mesin e tyre ai përmendi edhe personazhin e njohur të showbizz’it, Meriton Mjekiqin. Derisa, Dezdarin e implikoi në disa vepra penale, që sipas tij i ka kryer ndërvite.

“Alban Dezdari është i njohur së është kriminel. E ka kidanpu edhe u dënu për djal të M.C. [emër i njohur për redaksinë]. Unë kam ndermjetësu për vëllanë e tij, me T. Elshanin, kur e ka grabit qiken e tij, kam ndermjetu e nu qat Kurbinin, ai më ka tradhtu mu bashkë me Albanin, ma kanë marrë bagerin edhe bojshin hajgare thojshin e kemi ndrru me M. I. [emër i njohur për redaksinë] me drogë. Alban Dezdarit duhet më i than ma fort është dashtë me u rujt ti prej djalit të M. I., që e ke zhdryp prej kerrit dhe djalit të atij tjetrit që ja ke marrë kerrin, edhe Meriton Mjekiqit. A e ngjen të Big Brother? 50 mijë Euro, ja ka qitë reket”, pretendoi Demë Elshani për gazetën online Reporteri.net.

“Ai më ka borxh mu, unë e kam qitë që ma ka vjedhë bagerin, tashti ai thotë se ja kam kall unë shpinë. O ti djal, ja ka kall Meriton Mjekiqi, ja ka kall ai që i ka qitë gjoba përmbi 200 mijë Euro. […] Meriton Mjekiqi ja ka kry sigurisht, se Meriton Mjekiqit i ka qit reket. Ai munet se njeri kur t’i qitish reket ta bon”, tha Demë Elshani për Reporteri.net.

Gazeta Online Reporteri.net, gjatë të enjtes, nuk ka arritur të bije në kontakt me Meriton Mjekiqin, por do të sigurohet që në momentin që këngëtari dhe moderatori kosovar të jetë i gatshëm për tu deklaruar për pretendimet e Demë Elshanit, t’i ofrojë mundësinë për tu përgjigjur.

Ndryshe, për rastin që ka ndodhur pas mesnatës në Pejë, ka njoftuar sot me mëngjes Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 02:05 minuta policia është informuar nga viktima se në rrugën ‘Besnik Lajqi’ në Pejë, në një lokal, dyshohet se persona të panjohur kanë gjuajtur një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, në objektin e tij”, njoftoi policia të enjten.

Alban Dezdari dhe Demë Elshani janë persona të njohur në Kosovë, me të kaluar të dyshimtë kriminale. Elshani i cili ka vite që jeton në arrati, jashtë Kosovës, dhe besohet se ndodhet në Zvicër, ndonëse vendndodhja e tij nuk është lokalizuar asnjëherë nga viti 2003 kur u arratis nga autoritetet kosovare të sigurisë dhe UNMIK-u i asaj kohe.

Për Demë Elshahin që nga viti 2017 ka edhe një fletëarrest ndërkombëtar aktiv.

Nga ana tjetër, Alban Dezdari ka qenë i dënuar dhe ka vuajtur 8 vite burgim për vrasjen e rëndë të një polici të Kosovës dhe një të UNMIK-ut në vitin 2004. Dezdari, dhe grupi kriminal që kryen vrasjen, sipas organit të akuzës kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë. Dy të tjerë, një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe një përkthyes i UNMIK-ut, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Së fundi, dyshja Dezdari dhe Elshani janë përfshirë në mosmarrëveshje shkaku i një konflikti të familjes Elshani me familjen Buquku nga Peja, ndaj të cilës nipi i tij, Qëndrim Elshani ka dorëzuar një kallëzim penal në polici për kinse një borxh prej dy milionë eurove. Disa incidente të ndodhura në Pejë gjatë vitit 2023, dyshohet se kanë ndërlidhje me këtë konflikt. Në të njëjtin kallxim penal përmendet edhe Alban Dezdari.

Gazeta online Reporteri.net gjatë ditëve në vijim do të zbardh detaje nga ky kallxim penal. Gjithashtu, nesër, në platformat online të gazetës online Reporteri.net do të publikohet e plotë biseda audio me Demë Elshanin.