Lajme

Bie nga ura autoblinda e NJSO-së, 8 zyrtarë të lënduar – Si ndodhi aksidenti në Zveçan?

Gjatë mbrëmjes së sotme ndodhi një incident i rëndë në veri përkatësisht në fshatin Grabovc të Zveçanit, ku një autoblindë e Policisë së Kosovës ishte aksidentuar, duke u shkaktuar lëndime disa zyrtarëve policorë.

Sinjali mësoi menjëherë pas aksidentit se një autoblinda e Policisë ra nga një urë, me ç’rast u lënduan 8 zyrtarë policorë.

Burimet nga emergjenca i thanë Sinjalit se dy nga tetë zyrtarët policorë të lënduar nga aksidenti në veri janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor.

Sinjali gjithashtu mësoi se autoblinda e aksidentuar në veri ishte e njësisë operative NJSO.

Rasti për Sinjalin u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ku tha se pjestarë të Policisë janë lënduar dhe se janë dërguar në spital për trajtim.

“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin, e po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca. Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njejtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, tha ai për Sinjalin.

Ndërkohë, mediumet lokale në veri kanë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes ku ndodhi aksidenti ku shihet vetura e NJSO-së e dëmtuar në pjesën e përparme dhe e tëra e mbuluar me baltë.