Gjithçka që dihet deri tash për plagosjen e policit Misin Krasniqi, dalin pamjet nga vendi i krimit
Një polic i Kosovës që ishte jashtë detyrës zyrtare ka mbetur i plagosur mbrëmë në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Siç ka mësuar Gazeta Sinjali i plagosur mbeti polici Misin Krasniqi – si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri mes dy pronarëve të ‘Rent a Car’, i cili kur ndodhi rasti ishte kalimtar rasti.
Ai tash është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas plagëve që ka marrë nga arma e zjarrit.
Për gjendjen e tij ka folur drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla. Ai ka thënë për Gazetën Sinjali se gjendja e viktimës është stabile.
“Është në gjendje stabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe jemi në pritje të rezultateve”.
Gazeta Sinjali ka siguruar disa pamje nga vendi ku ka ndodh rasti në Fushë Kosovë, ku shihet edhe një patrullë policore.
Detaje të reja për plagosjen e policit – Kjo është gjendja e tij
Lajmi i plagosjes së policit është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës ku kanë thënë se hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.