Ankohet punëtori i ndërtimtarisë që është edhe kryefamiljar: Punova tek “Medi Premium”, në fund të muajit nuk më pagoi
Mitrovicasi Xhevdet Meholli, një punëtor ndërtimi dhe kryefamiljar, ka shprehur shqetësimin e tij pasi nuk ka marrë pagën për punën e kryer në kompaninë “Medi Premium”.
Ai kishte aplikuar për një vend pune pas shpalljes së një konkursi dhe ka filluar punën më 8 shtator.
Në një deklaratë për “Jepi zë”, Meholli shpjegoi se ka punuar pa ndalesë për 22 ditë, por deri tani nuk ka marrë asnjë pagesë.
“Jam kryefamiljar me 8 anëtarë dhe kam një hall për t’u ankuar. Kam punuar në ‘Medi Premium’ në Mitrovicë, por nuk më janë dhënë paratë që kam merituar,” tha ai.
Për më tepër, Meholli theksoi se kompania ka punëtorë të huaj, për të cilët pagat janë dhënë rregullisht.
“Medi Premium ka punëtorë nga Algjeria që janë paguar, ndërsa unë nuk di si t’ia dal. Nuk kam forcë të kërkoj paratë e mia, por e ndjeva të nevojshme të ankohem, të paktën për të paralajmëruar të tjerët që kanë nevojë dhe punojnë pa marrë asnjë cent,” theksoi ai.
Ky rast hedh dritë mbi sfidat me të cilat përballen punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Për rastin ka reaguar edhe pronari i kësaj kompanie, Albert Halilaj, i cili e ka mohuar këtë gjë duke iu përgjigjur Gazetës Jepi zë.