Shqetësuese: Shfaqet sërish fenomeni i vetëlëndimit te nxënësit në Gjakovë, viktimë një 14-vjeçare
Brenda një viti janë raportuar tri raste të një fenomenit të vetëlëndimit te disa fëmijë në Komunën e Gjakovës. Kjo tendencë në rritje ka ngritur shqetësim të madh te prindërit dhe mësimdhënësit, gjithandej vendit.
Siç merr vesh Sinjali, pas dy rasteve që dyshohet se kanë ndodhur në muajin shkurt në Gjakovë, është regjistruar edhe një incident tjetër, ku viktimë sërish është një nxënëse.
Bazuar në informacionet e para, edhe këtë herë, viktima është një 14-vjeçare, e cila dyshohet se e ka lënduar veten, së fundmi.
Ky rast ka vënë në lëvizje Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, ku si rezultat është njoftuar Policia dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor, e po ashtu janë kontrolluar edhe dy nxënëset e tjera, që dyshohet se kanë rënë pre e këtij fenomeni në fillim të tij viti, raporton Sinjali.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është hapur hetimi në drejtim të veprës penale “Shtytje në vetëvrasje”, ndërsa tri 14-vjeçareve iu janë konfiskuar telefonat.
Një nga shkaqet e këtij fenomeni është vlerësuar të jetë edhe ndikimi i sfidave të rrezikshme në platformat sociale.
Kujtojmë se qasja e plotë në internet po rrit rrezikun për pasoja te fëmijët dhe rasti i fundit është ai që ndodhi në Fushë Kosovë e Lipjan, ku 20 fëmijë, të frymëzuar nga një lojë në TikTok u vetëlënduan.