Lajme

Vrasja në Prishtinë – krejt çka dihet për krimin brenda familjes Millaku

Një ngjarje tragjike që përfundoi me vrasje ka tronditur Vranjevcin mbrëmë. Për motive akoma të panjohura, një grua ka ekzekutuar vëllain e bashkëshortit – kunatin e saj.

Pas disa orësh, mbrëmë vonë, trupi i pajetë i burrit që u vra në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, u largua nga vendi i ngjarjes – për t’u bartur në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gazeta Sinjali ka zbuluar mbrëmë ekskluzivisht se i vrarë ka mbetur Xhevdet Millaku, rreth 60 vjeçar, i cili punonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Siç raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali gruaja e dyshuar për vrasjen është Nazmije Millaku, rreth 55 vjeçe.

Ajo dhe kunati që e privoi nga jeta jetonin në të njëjtën shtëpi, por që i kishin hyrjet e ndara.

E dyshuara është vetdorëzuar në Polici, ka njoftuar policia e Prishtinës, e cila ka treguar se ngjarja ka ndodh rreth orës 19:20, të natës që shkoi.

“Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person e dyshuara: -N.M. femër”, njofton Policia.

Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast.