Lajme

BMW-ja e vjedhur në Norvegji gjendet në Skenderaj, pronari thotë se vëllai ia bleu dhe ia solli në Kosovë

Jo rrallëherë veturat e raportuara të vjedhura në shtete të ndryshme gjenden në Kosovë pas bashkëpunimit të autoriteteve. Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Skenderaj, ku Policia e Kosovës ka gjetur një veturë që ishte në kërkim ndërkombëtar, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, Policia është njoftuar përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) dhe menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Sipas informacioneve të para, autoritetet në Norvegji e kanë futur në kërkim ndërkombëtar një automjet të tipit BMW që dyshohet se ishte vjedhur.

Zyrtarët policorë kanë arritur ta lokalizojnë vendndodhjen dhe e kanë gjetur veturën në Skenderaj, që më pas është sekuestruar për procedura të mëtejshme.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pronari i veturës ka deklaruar se vetura është blerë në Norvegji nga një vëllai i tij dhe është sjellë në Kosovë.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, I cili ka urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme.